Autoriteti i Konkurrencës gjobit përsëri kompaninë që menaxhon parkimin në Aeroportin e Tiranës
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur përsëri ndërmarrjen Star Parking Albania, për mosrespektim të detyrimeve të vendosura ndaj saj, pas mbylljes së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza”.
Në mbështetje të raportit të monitorimit, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania në masën 756,581 lekë, për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në vendimin e Komisionit të Konkurrencës, të vitit 2022.
Në nëntor 2022, Autoriteti i Konkurrencës mbylli procedurën e hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” dhe gjobiti ndërmarrjen Star Parking Albania në vlerën e 1% të xhiros vjetore ose rreth 1.6 milionë lekë.
Autoriteti i Konkurrencës në atë rast vlerësoi se angazhimet e depozituara nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK ishin të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet e konkurrencës në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), duke i përcaktuar këto angazhime si të detyrueshme, në formën e kushteve dhe detyrimeve.
Ndërmarrjes Star Parking Albania iu la si detyrim hartimi i një metodologjie për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit dhe të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër.
Gjithashtu, ndërmarrjes Star Parking Albania iu vendos detyrimi i parashikuar në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës për të mos abuzuar me pozitën dominuese, veçanërisht me vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit; kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik; zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
Për përmbushjen e kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në vendim ndërmarrja Star Parking Albania do të monitorohet për një periudhë 1 vjeçare.
Por, pas monitorimit njëvjeçar, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se kompania nuk i ka zbatuar këto detyrime.
Nga kontratat e lidhura me ndërmarrjet që kërkojnë shërbimin e telepaseve është vërejtur se kushti që “Star Parking ngarkon me një pagesë prej 6000 lekë në rast të humbjes apo prishjes së telepas-it si zhdëmtim të tij”, nuk është i përcaktuar për të gjitha ndërmarrjet që kanë një kontratë telepas me Star Parking, por vetëm për ndëmarrjet Global Fast Food Albania SHPK, A&A Aeroport SHPK dhe Air Albania SHPK.
Në kontratat e vitit 2023, Star Parking për ndërmarrjen Global Fast Food Albania SHPK ka përcaktuar “detyrimin për një telepas në vlerën 6000 lekë” dhe për ndërmarrjen Air Albania SHPK ka përcaktuar “detyrimin për një telepas në vlerën 180 mijë lekë”, ndërsa për ndërmarrjen Mulliri i Vjetër SHPK ka përcaktuar “detyrimin 180 mijë lekë për një telepas për një targë” dhe për ndërmarrjen Sombrero SHPK “detyrimin 180 mijë lekë për një telepas për një targë”.
Vihet re se për ndërmarrjet e tjera kontrata parashikon vetëm detyrimin për numrin e telepas të kërkuar, pa përcaktuar kushtin e targës.
Kompania Alba Wings në 2022, për një kohëzgjatje një vit ka paguar 72 mijë lekë për një telepas, ndërsa ndërmarrja Air Albania në vitin 2023 për dy telepase me kohëzgjatje njëvjeçare ka paguar gjithsej 360 mijë lekë.
Mbështetur në shembujt e mësipërm, për Komisionin e Konkurrencës rezulton se ndërmarrja Star Parking Albania ka zbatuar kushte të pabarabarta me ndërmarrjet të cilat lidhin kontratë për tu pajisur me telepas dhe nuk ka paraqitur arsye për këtë trajtim të ndryshëm.
Për këtë arsye, Komisioni ka vendosur gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking në vlerën e 756,581 lekëve, si edhe vijimin e monitorimit të zbatimit të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në pikën III të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 921, datë 09.11.2022 “Për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjen “Star Parking Albania SHPK”, edhe për një periudhë 1 vjeçare./MONITOR