Ndryshimet klimatike, Fieri dhe 7 bashki hartojnë për herë të parë planet e përshtatjes
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) zhvilluan një konferencë kombëtare ku u diskutuan tetë plane lokale të përshtatjes ndaj ndikimeve të mundshme të ndryshimeve klimatike në Shqipëri.
Këto plane janë hartuar për herë të parë dhe përmes një procesi pjesëmarrës të udhëhequr nga bashkitë, të cilat kanë identifikuar masat përshtatëse ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri.
Në fjalën e saj të hapjes, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, theksoi urgjencën e adaptimit lokal ndaj klimës dhe rolin kritik që luajnë këto plane në ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme.Ndryshimet klimatike paraqesin sfida të rëndësishme për ekonomitë, komunitetet dhe ekosistemet tona lokale.
Adoptimi dhe zbatimi i këtyre planeve, përbën hapa vendimtarë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por edhe shembulli se si kur koordinohemi, mund të bëjmë punë të mira.
Këtë vit e nisëm me një kryefjalë, që janë Pyjet.
E pagëzuam vitin 2024 si Vitin e Pyjeve me një program pyllëzimi dhe sensibilizimi në gjithë vendin me 50 bashki pjesëmarrëse, 156 aktivitete pyllëzimi dhe rreth 300 mijë fidanë të mbjellë në vetëm 4 muajt e parë të këtij viti,” tha ministrja Kumbaro teksa deklaroi se edhe këtë vit Shqipëria do të jetë pjesë e COP29, Samitit Botëror të Klimës.
Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, vuri në dukje përpjekjet bashkëpunuese pas hartimit të këtyre planeve.
“Integrimi i strategjive lokale të përshtatjes në politikat më të gjera kombëtare është jetësor për sigurimin e qëndrueshmërisë klimatike gjithëpërfshirëse.
Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm në udhëtimin tonë drejt zhvillimit të qëndrueshëm,” tha Merino.
Planet lokale të përshtatjes u prezantuan nga kryetarët e tetë bashkive të përfshira në këtë proces: Vlora, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, Durrësi, Fieri, Kruja dhe Kukësi.
Secili kryetar bashkie diskutoi sfidat specifike klimatike me të cilat përballen komunitetet dhe ekonomitë e tyre dhe masat e propozuara të përshtatjes për adresimin e këtyre çështjeve.
Në vijim pritet miratimi i Planeve Lokale të Përshtatjes nga këshillat bashkiakë përpara COP-29, dhe integrimi i disa prej masave prioritare kryesore të përfshihen në Planin Kombëtare të Përshtatjes, që pritet të lehtësojë aksesin në burime financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndër të tjera, konferenca theksoi edhe rëndësinë e forcimit të partneriteteve midis aktorëve vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të arritur një përshtatje efektive ndaj ndryshimeve të klimës.
Në zbatim të Ligjit nr. 155/2020 “Për ndryshimet klimatike”, bashkitë duhet të hartojnë dhe zhvillojnë politika dhe masa përshtatëse, për të zvogëluar rrezikun dhe pasojat e ndryshimeve të klimës, duke rritur kapacitetet dhe përfshirjen e barabartë gjinore në proceset vendimmarrëse për përshtatjen dhe ripërtëritjen e komuniteteve.