Temperaturat mbi 50 gradë C/ Shkon mbi 1000 numri i pelegrinëve të vdekur gjatë haxhit në Arabinë Saudite
Numri i të vdekurve në pelegrinazhin e haxhit ka tejkaluar 1000 persona, sipas raporteve, pasi një valë brutale e të nxehtit ka bërë që temperaturat të arrijnë 50 gradë Celsius në tubimin më të madh në botë të myslimanëve në Arabinë Saudite.
Pamjet tmerruese tregojnë trupat që mbulohen dhe lihen në rrugë, pasi disa prej pelegrinëve ishin viktimë e temperaturave të larta, ndërsa shumë të tjerë pësuan goditje të forta nga nxehtësia dhe u desh të futeshin urgjentisht në vende më të ftohta e të izoluara.
Vdekjet e reja të raportuara sot përfshijnë 58 njerëz nga Egjipti, sipas një diplomati arab i cili dha një përmbledhje që tregon se nga 658 gjithsej të vdekur nga ai vend, 630 ishin të paregjistruar. Një Imam britanik i përshkroi skenat si ‘rrëqethëse’ dhe tha se ishte e pamundur për pelegrinët të ecnin nëpër rrugë dhe të mos shihnin njerëz që vuanin nga vapa.
“Ka kaq shumë histori nga pelegrinët që janë me mua për atë që panë në rrugë, veçanërisht të dielën e kaluar,” i tha ai BBC të dielën. “Ndërsa po ecje, patjetër që do ta shikoje dikë që po luftonte me vapën e madhe. Njerëzit po bënin ç’të mundnin për të qenë sa më në hije, po merrnin ujë nga individë të sjellshëm që u jepnin peshqirë, po merrnin hije në pritjet e hoteleve”, tha një dëshmitar. “Ishte pikëlluese nganjëherë, nuk kam parë kurrë kaq shumë njerëz të luftojnë për vapën kolektivisht”.
Ai vazhdoi duke thënë se ndërsa autoritetet kishin qenë të gatshme për të ndihmuar, ata duhet të nxjerrin mësime nga skenat e tmerrshme të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme, e përkeqësuar nga mbipopullimi.
Rreth 1.8 milionë pelegrinë morën pjesë në haxh këtë vit, 1.6 milionë prej tyre nga jashtë vendit, sipas autoriteteve saudite. Çdo vit dhjetëra mijëra pelegrinë tentojnë të kryejnë haxhin përmes rrugëve të parregullta, pasi nuk mund të përballojnë procedurat shpesh të kushtueshme për vizat zyrtare të haxhit.
Kjo i vë në rrezik këta pelegrinë të parregullt, pasi nuk mund të hyjnë në objektet me ajër të kondicionuar të ofruara nga autoritetet saudite përgjatë rrugës së haxhit