Përmbaruesi i mori pronën me pretendimin se s’kishte shlyer kredinë në MCA/ Detaje nga ngjarja para SPAK, qytetari tentoi t’i jepte fund jetës
Në një hetim të Prokurorisë Tiranë ndaj një grupi përmbaruesish dhe firmës së mikrokredive MCA, u tha se nëpërmjet skemës së mbledhjes së kredive të këqija ishin shkatërruar jetët e shumë shqiptarëve.
I tillë duket se është edhe fati i Pal Trashaj, i cili ndër vite kishte denoncuar se i kishin grabitur në mënyrë të padrejtë pronën. Gjatë të martës në kushte depresioni ai tentoi t’i japë fund jetës duke pirë fotoksinë përpara dyerve të SPAK.
Pal Trashaj, banues në Lezhë prej disa orësh priste përpara dyerve të SPAK-ut pasi kishte kërkuar një takim me zyrtarët e këtij institucioni. Pasi nuk arriti të kryente takimin, Trashaj ka pirë fotoksinë. Edhe pse u bë ndërhyrja e urgjencës 63 vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë dhe në luftë për jetën.
Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga dy përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.
Çështja mbeti e pazgjidhur dhe ishte ende në proces gjykimi me vite, ndërsa më herët në 2015-tën, Trashaj ishte gjobitur edhe nga gjykata e Tiranës për shkak se kishte kërcënuar me mesazhe një drejtor të një banke të nivelit të dytë.
Pal Trashaj njihet si historian në qytetin e Lezhës, ku është angazhuar në shumë aktivitete kulturore-sociale e po ashtu ka ngritur mjaft problematike për shume monumente kulturore. Për disa vite ka ushtruar edhe detyrën si Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.