Ekskluzive/ Raport Auditi në Uzinën sekrete Poliçan, u vodhën lingota Bakri, Tunxh e Zing që prodhohen fishekët. Por mungojnë dhe disa pistoleta
Në një kohë kur Shqipëria, ka vënë në zbatim një plan për jetëzimin e industrisë Ushtarake të Komunizmit, ku qëllimi është prodhimi i municioneve dhe armëve të lehta, një skandal vjedhjeje ka përfshirë Uzinën e armatimit në Poliçan.
Nuk bëhet fjalë për vjedhje skrapi, siç gjerësisht u raportua fillimisht, por është vjedhur lënda e parë që shërben për prodhimin e fishekëve dhe aksesorëve të tjerë të prodhimit të armëve.
Vjedhja, rezulton të jetë kryer pikërisht nga punonjës të këtij kombinati, ku dyshimet e forta dhe përgjegjësia bien mbi ish-drejtorin e Kombinatit, Erjon Zylyftari, përgjegjësit material Gazmend Mahmutaj, Fatos Hasa, shefen e financës dhe Këshillin Drejtues, të kësaj uzine sekrete.
Rasti i kësaj situate të ndodhur në një Objekt të Rëndësisë së Veçantë (ORV), siç është Kombinati Mekanik Poliçan, përbën skandalin e rradhës që përfshin Ushtrinë Shqipare, pasi tonelata me lingota Bakri, Bronxi F1 dhe Tunxhi F1, të cilat shërbejnë si lënde e parë për prodhimin e fishekëve, gëzhojave dhe aksesorëve të tjerë të armatimit, janë vjedhur mes syrit të Policisë Ushtarake, që ka në ruajtje godinat e kombinatit.
Çështja bëhet akoma dhe më e ndërlikuar, pasi në inventarizimin e zërave në magazinën e këtij kombinati, është konstatuar dhe mungesa e një numri pistoletash të prodhuara pikërisht në këtë Kombinat Armatimi, por nuk është qartësuar në raport se sa është sasia e munguar.
Kjo situatë e krijuar brenda mureve të Uzinës, ka prodhuar dhe një çështje penale në Prokurorinë e Beratit me Nr. 468 për “Shpërdorim detyre”, ku së fundi u paraqit për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherësh dhe koordinatori politik i PS në Qarkun e Beratit.
Thirja dhe pyetja e Çuçit është kryer pasi ai ka dalë në një bisedë të përgjuar nga prokuroria e Beratit, teksa flet për këtë problematikë me drejtorin e Kombinatit Mekanik të Poliçanit.
Ndërkohë gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka siguruar një raport konfindencial auditi, i cili është bërë për këtë çështje nga auditues të Ministrisë së Mbrojtjes.
Inicimi i këtij auditi ka filluar nga zërat e punonjësve të Uzinës, të cilët e njohin mirë situatën dhe degradimin e kësaj Uzine, ku kanë punuar për vite tëra. Por për shkak të keqmenaxhimit dhe vjedhjeve, nuk kishin mundësi të mernin dhe pagat mujore.
Punonjësit kanë raportuar në ministrinë e Mbrojtjes se:
“…uzina filloi të degradojë dhe punonjësit filluan të humbin shpresat sepse Kryetari i Bashkisë Poliçanit Adriatik Zotkaj, filloi të përdorte influencën e tij, duke ndikuar në emërimin e titullarve të Uzinës, ku këta të fundit kanë qënë zyrtarë të Bashkisë Poliçan. Nën komandën e tij, ata kontribuan në humbjen dhe vjedhjen e uzinës…”.
Pas presionit të vazhdueshem të punonjësve të Uzines për pagat e prapambetura dhe pas disa informacioneve për vjedhje, Ministria e Mbrojtjes, fillimisht urdhëroi që drejtuesit e kombinatit të bënin një vetë-auditim.
Drejtori Arshin Tushe, i cili më parë ka qënë nën/kryetar i bashkisë Poliçan, ka nxjerë urdhërin për nisjen e auditimit por ky urdhër nuk është zbatur pasi përgjegjësit e magazinimit të Kombinatit Mekanik Poliçan, Gazmend Mahmutaj dhe Fatos Hasa, nuk janë paraqitur në detyrë.
Nisur nga kjo situatë Ministria e Brendshme, vendosi të dërgojë një grup auditi të brendshëm të nga ministria, Fiqiri Xhaferrin, Luan Kallucin, H.Frashërin, dhe D.Turhanin, të cilët do të kryhenin auditim për periudhën 1 korrik 2017 deri 30 dhjetor 2020.
Por ky afat u shty për shkakun e konstatimit të vjedhjeve nga ana e grupit të punës. Ky auditim përfundoi në 26 shkurt 2021 dhe pse u konstatuan një sërë shkeljesh të rënda si humbja e sendeve, vjedhja, shpenzime të pa justifikuara, punësime të pa nevojshme (në periudha zgjedhore), prokurime publike të vogla të pa autorizuara.
Dhe për pasoje të gjitha veprimet kanë çuar në një humbje prej 50,398,899.69 lekë.
Sipas raport auditit të Ministrisë së Mbrojtjes ka rezultuar se diferenca mangut nga invetarizimi i fundit të lëndëve të para me ngjyrë është në këtë gjëndje:
“…bakër të llojeve të ndryshme, fletë bakri, shirit e tel bakri mangët 12597.6 kg, Bronx F1 të ndryshme, tel bronxi, lingota bronxi mangët 4393.3 kg dhe Tunxh F1…”.
Sasia totale e lingotave Bakër, Bronx, dhe Tunxh, të vjedhura dhe më pas shituara në tregun e zi, shkon në 54 ton dhe vlera financiare në dëm ekonomik është përllogaritur paraprakisht në 62 milion lekë të vjetra.
Por kjo vlerë e dëmit është nxjerë nga komisioni sipas çmimeve të rregjistruara në kontabilitet dhe jo e indeksuar me çmimin e tregut real të këtyre metaleve.
“…audituesit duke u bazuar në çmimet e ankandit të realizuar nga Ministria e Mbrojtjes muajin Prill 2019, (për metalet “Bakër” me çmim 456 lekë/kg “Bronx” dhe “Tunxh” me çmim 252 lekë/kg), megjithse këto aktive nuk janë skrape, por lëndë e parë, vlera e demit për sasinë 53,564.4 kg, shkon rreth 25,000,000 lekë…”-thuhet në raport.
Për referencë të vlerës së aktiveve që kanë rezultuar mangut nga inventari, nga audituesit kanë kërkuar çmime reference të metaleve me ngjyrë, drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku rezultoi se bursë 1 ton Bakër është shitur 8 mijë dollarë.
“…çmimi i Bakrit për muajin Janar (kohë kur u kostatuan diferencat), në bursë ka qënë 8000 USD /toni. Nisur nga sa s’qaruam më lart vlera e mungesës së konstatuar nuk është 25,000,000 lekë të reja, por shumë më e madhe se kaq…”-thuhet në raport.
Tashmë kjo çështje është nën hetim nga prokuroria e Beratit, dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një vendimarje konkrete nga kjo prokurori.