Erzen Breçani në SPAK, do t’i komunikohet akuza
Erzen Breçani është paraqitur sot në SPAK, do t’i komunikohet akuza. Breçani ndodhet me masën “arrest shtëpie”.
Kujtojmë se pak kohë më parë GJKKO liroi nga qelia Breçanin, të cilit thuhej se i rrezikohej jeta në qeli, pasi vuante nga klaustrofobia, ndërsa tashmë ndodhet në “arrest shtëpie”.
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës urdhërohet që të mos largohet nga banesa e tij, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.
LIRIMI I BRECANIT
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, i cili u arrestua për pastrim parash, pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli dhe se vuante nga klaustrofobia. Në muajin shkurt, ish-zyrtari i lartë i Policisë u dërgua në spitalin e burgut pasi deklaroi se kishte frikë nga ambientet e mbyllura.
Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij, por GJKKO me vendim të datës 31 Maj e rrëzoi. Megjithatë, Erzen Breçani fitoi lirinë pasi ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO-së. Erzen Breçani u arrestua më 20 nëntor 2023 dhe akuzohet për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit.
SPAK lëshoi 11 urdhër arreste ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë, ku mes të cilëve ishin Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, Bujar Ajezin dhe Besmir Murati. Ata akuzohen për “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal”, “trafik droge”, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, “shpërdorim detyre” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.