Mbërrin Omicron K3 në Shqipëri! Nënvarianti i Covid rrit numrin e të prekurve, mjekja: Shenjat, si ta dalloni nga ‘ftohja’
Ndonëse ende nuk është publikuar zyrtarisht, dyshohet se nënvarianti i Omicron K3 ka hyrë edhe në Shqipëri.
Ky nënvariant ka rritur numrin e rasteve të prekur nga coronavirus në vende të Europës dhe rajonit dhe një trend në rritje të pacientëve me Covid ka edhe në vendin tonë, ndonëse nuk ka vend për t’u shqetësuar pasi simptomat janë të lehta.
“Ka rritje të virozëve dhe 3-4 raste në ditë rezultojnë pozitiv”, tha Bruna Shiroko.
Shumë raste rezultojnë me tampon negativ por mjekët diagnostikojnë në baze të simptomave të cilat janë të lehta. Ndërkohe që ka shumë qytetarë të cilët nuk drejtohen tek mjeku.
“Temperaturë 37- 40, por më lodhëse është ajo 37.2 e cila i lodh më shumë”, tha Shiroka.
Lëvizjet e shumta gjatë sezonit turistik, ndihmojnë në transmetimin e Covid, por mjekët këshillojnë kujdes kur shfaqen simptomat.
“Nuk mund të them të shmangen grumbullimet pasi është e pashmangshme për shkak të sezonit turistik por mos neglizhoni simptomat pasi shumë persona thonë i qëndrova kondicionerit para dhe ndaj kam gricje fyti”, thotë mjekja.
Edhe në shërbimin infektiv ka raste me Covid të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese që kanë, por në forma të nivelit mesatar.