Himarë: Sekuestrohen 175 çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje në Gjipe, procedohen penalisht dy shtetas
Në kuadër të zbatimit të planit operacional “Plazh i lirë”, Policia e Dhërmiut, në bashkëpunim me bashkinë Himarë, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, ka kryer kontrolle të përditshme në vijën bregdetare të qarkut. Gjatë këtyre kontrolleve, janë konstatuar dy shtetas që kishin zënë hapësirë bregdetare në Gjipe, duke vendosur 175 çadra dhe shezlongë pa leje.
Pas veprimeve procedurale, materialet përkatëse janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për dy shtetasit, A.Z. dhe B.Sh. Çadrat dhe shezlongët u sekuestruan, dhe hapësira e zënë në kundërshtim me ligjin u lirua. Autoritetet vijojnë kontrollet dhe verifikimet për zbatimin e rregullave të këtij plani në të gjithë vijën bregdetare.