Zjarr në Mallakastër: Digjet Magazina e Braktisur pranë Ish-Fabrikës së Vajit
Lavdan, Mallakastër, 18 gusht 2024 – Një magazinë e vjetër dhe e braktisur është përfshirë nga flakët disa minuta më parë në fshatin Lavdan, pranë ish-KPTHN Ballsh. Magazina, e cila ndodhet afër një fabrike vaji ulliri, kishte brenda saj mjete kartonera, mbetje solari dhe fuçi vaji. Zjarri është konfirmuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Sipas burimeve zyrtare, magazina ka qenë e braktisur prej disa muajsh dhe ka dy pronarë, një nga Buzmadhi i Cakranit dhe tjetri nga Drizari. Për të shuar flakët, krahas zjarrfikësve të Bashkisë Mallakastër, është dërguar një automjet zjarrfikës i kompanisë Albpetrol, i pajisur me lëndë të posaçme për fikjen e zjarrit, pasi uji nuk është efektiv në këtë rast.
Ndërkohë, pranë magazinës ndodhet një banesë dhe një fabrikë vaji, për të cilat zjarrfikësit janë në gatishmëri të plotë, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe shmangien e dëmeve të tjera. Situata po monitorohet nga afër, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të vënë zjarrin nën kontroll.