Anija me mbetje drejt Kinës, reagon Dogana: Shqipëria nuk ishte vend eksportues, por vetëm tranzit
Akuzat se nga Shqipëria janë nisur drejt Tajvanit 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme janë kundërshtuar nga doganat shqiptare.
Vetëm një ditë pasi Sali Berisha deklaroi se gjithçka ishte lejuar me bekimin e autoriteteve më të larta portuale dhe me lejen e kryeministrit Edi Rama, sqarohet se porosia e ka burimin në Kosovë.
“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland”, thuhet në deklaratë.
Madje më tej shtohet se Firma zvicerane “ACHRO AG” është urdhëruese, sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China.
Në këtë kuptim doganat sqarojnë se dërgesa nuk është produkt me origjinë të Shqipërisë, madje dhe nuk ka një kompani ndërmjetëse të Shqipërisë në këtë lëvizje por se vendi ynë ka qenë vetëm një transit.
Megjithatë më tej pranohet se ka nisur një hetim ndërkombëtar, ndërsa shtohet se po bashkëpunohet ngushtë me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatuese për këtë rast.