Mendonte se do ta përjashtonin nga testamenti i nënës së tij, 59-vjeçari vret me armë zjarri katër familjarët dhe më pas veten
Një tragjedi familjare ka ndodhur në Long Island në Nju Jork, ku një burrë vrau vëllain, dy motrat dhe mbesën e tij përpara se të vriste veten në oborrin e shtëpisë, dy ditë pas varrimit të nënës së tij.
Sipas NBC News, 59-vjeçari Joseph DeLucia Jr. raportohet se kishte frikë se mos përjashtohej nga testamenti i nënës së tij dhe humbte shtëpinë, gjë që e bëri atë të kryente këtë akt të rëndë.
DeLucia përdori një armë gjahu për të vrarë vëllain dhe motrat e tij, Joanne Kearns, Frank DeLucia dhe Tina Hammond, si dhe vajzën 30-vjeçare të Hammond, Victoria.
Policia tha se shtëpia ishte vendi i takimit të familjes për të diskutuar shitjen e pronës pas vdekjes së nënës së tyre, Theresa DeLucia, e cila vdiq më 19 gusht në moshën 95-vjeçare.
“Autori ka besuar se do të përjashtohej nga testamenti dhe se do të mbetej i pastrehë” sipas një përfaqësuesi të Policisë. “Për shkak të këtij besimi, ai ka shkuar në pjesën e pasme të shtëpisë dhe nga kuzhina ka qëlluar 12 herë, duke i goditur të katërt disa herë.”
Sipas autoriteteve, ai ka dalë më pas në oborr duke bërtitur për atë që kishte ndodhur dhe ka qëlluar veten.
Mësohet se ka qenë një fqinj që e ka dëgjuar dhe më pas ka njoftuar policinë.
Autoritetet theksuan se DeLucia nuk kishte shfaqur sjellje të rrezikshme, megjithëse kishte raportime për probleme të shëndetit mendor. Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa policia vijon hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.