Fierakët kanë shtuar radhët me tre futbollistë nigerianë. Apolonia për rekord, 12 të huaj në ekip
Nga Hilmi Saliu/ Bëhet fjalë për mbrojtësin Matias Namdi Zhosef, mesfushorin Olauale Gafar Olajemi dhe qendërsulmuesin Jakubu Mohamed Nazer. Nga një përforcim për çdo repart, për skuadrën e Artan Mërgjyshit. I pari luan në dy role në prapavijë, si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë dhe ka qenë në provë prej 28 korrikut. Dje ai ka nënshkruar marrëveshjen 1-vjeçare, ndërsa dy të tjerët kanë nënshkruar për 2 vite dhe pritet që sot t’i bashkohen grupit në stërvitje.
Të tre janë lojtarë të rinj në moshë, 18 dhe 19 vjeç. Klubi fierak i sheh si pjesë të rëndësishme të strategjisë për të ardhmen. Me largimin e Shanajt e Repajt dhe me afrimin e tre lojtarëve të huaj, drejtuesit e Apolonisë kanë hapur telashe shumë të mëdha. Jo vetëm që kanë gabuar duke hequr dorë nga dy lojtarët më të mirë e me eksperiencë, por edhe për faktin se alternativat në këtë moment vijnë kryesisht nga tregu i huaj dhe këtu numri është i limituar.
Të huajt- Fierakët kanë aktualisht në organikë disa të huaj, si Ndubuisi, Folorunsho dhe Kofi në mbrojtje, Musa, Injehu, Jasin dhe Rajmond në mesfushë, por dhe Umejiego dhe Kalice në sulm. Këta lojtarë janë zyrtarisht pjesë e Apolonisë, ndërkohë që në fushë, sipas rregullores së FSHF-së, nuk mund të jenë më shumë se 5 të huaj. Së fundmi, me ekipin do të bashkohen edhe tre lojtarë të tjerë të huaj, mbrojtësi Matias Namdi Zhosef, mesfushori Olauale Gafar Olajemi, si dhe qendërsulmuesi Jakubu Mohamed Nazer.
Numri i të huajve shkon në plot 12-të, ndërkohë që priten edhe disa përforcime të fundit dhe kandidatët po ashtu janë të huaj. Në vëmendje të merkatos së Apolonisë kanë qenë këtë verë edhe të rinjtë. Lojtarë me moshë të re që mund të ingranohen me ekipin e parë, apo edhe me U-21-shin dhe U-19-ën, që i shërbejnë klubit për të tashmen dhe të ardhmen.