Ndryshoi ikonën e aplikacionit, Facebook u përgjigjet ankesave të përdoruesve
Facebook i është përgjigjur ankesave të përdoruesve për ndryshimin e ikonës së aplikacionit në pajisjet iPhone. Platforma ka deklaruar se ishte thjesht një problem dhe gjithçka po rregullohet.
Por çfarë ndodhi? Ikona e aplikacionit në pajisjen e disa përdoruesve ndryshoi ngjyrat. Në vend të sfondit blu me simbolin e bardhë, sfondi u zëvendësua me ngjyrën e zezë ndërsa logoja u kthye në blu.
Përdoruesit nuk ishin aspak të lumtur dhe vërshuan menjëherë me ankesa ndaj platformës.
Facebook ka sqaruar se ishte thjesht “një problem teknik” dhe nuk bëhet fjalë për një ndryshim të ikonës. “Kjo u shkaktua nga një problem teknik dhe tashmë është zgjidhur. Përdoruesit do ta shohin të riparuar kur të përditësojnë aplikacionin”, tha një nga përfaqësuesit e Meta.
iOS 18 do të ketë një pamje të re për ikonat, madje edhe një opsion që do t’i kthejë në “dark mode”. Megjithatë nuk dihet nëse kjo do të ndodhë me Facebook në versionin e ri të iOS.