17-VJEÇARI QËLLON DY PRINDËRIT E VELLAIN 12 VJEÇ NË GJUMË 68 HERË ME THIKË: S’E KUPTOVA PSE!
Italia është ende e tronditur nga vrasja brutale e trefishtë, e kryer nga 17-vjeçari Ricardo, i cili vrau prindërit dhe vëllain e tij 12-vjeçar. Sipas raporteve të mediave italiane, 17-vjeçari ka goditur familjarët 68 herë me thikë, duke thënë se i kishte qëlluar në qafë për të shmangur vuajtjet e tyre.
Ricardo tani ka shprehur pendesë dhe ka thënë se, nëse do të kishte mundësi të kthehej në të kaluarën nuk do ta kishte ndërmarrë një akt të tillë. Ai ka pranuar se kohët e fundit kishte menduar vetëm për vdekjen.
Avokati i tij raportoi se 17-vjeçari thotë se “nuk mund të shpjegoj se çfarë ka ndodhur atë natë”. Megjithatë, prokurorët besojnë se krimi ishte i paramenduar, duke argumentuar se Ricardo kishte planifikuar vrasjen e trefishtë.
Sipas tyre, 17-vjeçari fillimisht ka marrë pjesë në festën e ditëlindjes së babait të tij dhe më pas ka pritur që prindërit dhe vëllai të shkojnë në shtrat. Pesë minuta para orës dy të mëngjesit, ai ka shkuar në kuzhinë, ka marrë thikën dhe ka kryer krimin.
Ricardo ka thënë: “Ishte një ide që më lindi në atë moment për të gjetur një zgjidhje për ankthin tim që nuk e kuptoja se nga vinte. Ndihesha i mbytur, doja të jetoja i lirë. Ndihesha i vetmuar edhe mes të tjerëve. Ndihesha sikur askush nuk më kuptonte.”
Burimet e prokurorisë kanë njoftuar se 17-vjeçari “është i vetëdijshëm” për seriozitetin e aktit të tij dhe se drejtësia do të vihet në vend.