Sfida hapëse në Ligën e Kombeve, Sylvinho: Kombëtarja futet në fushë për fitore!
Kombëtarja shqiptare e nis në Pragë aventurën në edicionin të ri të Ligës së Kombeve. Të shtunën në 20:45 përballë kuqezinjve është ekipi i Ukrainës, me ndeshjen që për shkak të luftës do zhvillohet në fushë neutrale.
Veç Ukrainës, për Ligën B në Grupin 1 Shqipëria ka rivalë edhe Çekinë dhe Gjeorgjinë.
Në prag të ndeshjes së nesërme, pasditen e sotme para medieve doli trajneri Sylvinho dhe Ylber Ramadani.
Trajneri tha se grupi është i vështirë dhe se në Kombëtare ka vend për secilin lojtar. Ai u ndal te merkato dhe shtoi se është i lumtur që lojtarët ndryshuan ekipe për më shumë minuta.
Shqetësuese për të ishte koha e shkurtër që lojtarët pushuan pas Euro 2024.
Ndryshimet në qendrën e mbrojtjes – Kjo është një punë që ndodh te të gjitha ekipet. Ky është një moment shumë deçiziv për ne, vijmë pas Euro 2024 dhe lojtarët kanë pushuar pak, shto këtu edhe mungesat. Ja ku jemi me dy mungesa në qendër të mbrojtjes. Janë shumë ndeshje dhe më shqetëson gjendja e lojtarëve. Kjo është një mundësi e mirë për lojtarët e tjerë që të jenë pjesë e ekipit.
Arbër Hoxha titullar? Të gjithë lojtarët janë gati, ne këtë duam. Kemi stërvitjen e fundit sot pasdite dhe nesër në mëngjes një nxehje të lehtë muskujsh. Hoxha nuk ka nisur ende nga minuta e parë, erdhi për dy miqësoret në mars dhe filloi të jetë pjesë e ekipit, avash avash lojtari rritet në një ekip. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe do shohim si do vendosim.
Kundërshtari, çfarë i druheni?Kur flasim për Ukrainën, flasim për gjithë grupin, me tre ekipe të forta që i pamë në Europian. Ukraina ka trajner të mirë, e pamë në Euro 2024 me lojtar të mirë, sidomos në mbrojtje. Një ekip teknik, fizik dhe i organizuar. Kemi një grup të fortë dhe duhet të përballemi me ta seriozisht.
Riktimet e Uzunit dhe Ismajli që nuk mori minuta në Euro 2024- Kjo është puna në një ekip kombëtar. Kombëtarja është gjithmonë e hapur, lojtarët vijnë me idenë dhe dëshirën për të luajtur dhe për të veshur fanellën e ekipit. Ne shohim dëshirë për të luajtur te ta. Ne shohim entuziazëm dhe nuk më shqetëson asnjë pjesë, duke parë lojtarët që janë gati. Kemi motivim në ekip.
Skema 4-2-3-1 apo 4-3-3 dhe roli i Asllanit? Kemi përdorur të dyja skemat, i kemi përshtatur me ndeshjet miqësore apo duelet e tjera që kemi bërë. Ne dimë karakteristikat e lojtarëve dhe i përshtasim. Uzuni në ekipin e tij luan si sulmues, te ne na është dashur ta kemi në krah.
Strategjia kundër Ukrainës? Është shumë e vështirë për të parashikuar një ndeshje. Do jetë një ndeshje e hapur, me tranzicion dhe raste. Kanë lojtarë të shpejtë dhe të fortë në mesin e fushës. Edhe ne kemi cilësi teknike dhe pres që nesër të shoh një ndeshje të mirë. Kanë një ekip të fortë me grup të fortë dhe na pret një ndeshje e vështirë.
Ajeti dhe Gjimshiti mungesa – Kemi humbur më parë edhe Ismajlin, tani e kemi. Lojtarët kanë shumë pak pushime, Kombëtarja është një mundësi për të gjithë. Për fat kam 24 lojtarë dhe kemi mundësi.
I kënaqur me një pikë? Në ndeshjen e fundit kualifikuese na duhej një pikë, por asnjë trajner nuk e përgatit sfidën për barazim, çdo herë futemi për fitore, këtë do bëjmë edhe nesër. Logjika normale është që do dalim në fushë për të fituar”, tha Sylvinho.