E trishtë në Fier! Misri derdhet në rrugë se nuk ka treg, fermerja: Tallen me ne maskarenjtë!
Fermerët e Fierit, të cilët janë prodhuesit më të mëdhenj të drithërave në vend po hasin vështirësi në gjetjen e tregjeve. Ata shprehen se tregtarët po e grumbullojnë misrin me 2500 lek për kuintal. Një çmim ky tejet i ulët, që nuk justifikon as koston e prodhimit. Sipas tyre, kjo vjen pasi sasia më e madhe e misrit po importohet nga Serbia.
Misri derdhet në asfaltin e rrugës së Grecallisë, një fshat i njohur për kultivimin e drithërave në Fier. Mungesa e pikave të grumbullimit dhe magazinimit ka vënë në vështirësi fermerët. Shumë prej tyre janë detyruar ta nxjerrin në rrugë misrin e sapo korrur, në pritje të blerësve.
Prodhimi është i mbarë këtë sezon në gjithë fushën e Myzeqesë, por çmimi i shitjes është tejet i ulët. Me 2500 lek për kuintal nuk justifikohen as kostot e prodhimit.
Kultivuesit shprehen se shteti duhet të ndërhyjë si rregullator në treg, pasi prodhimi vendas po mbetet stok për shkak të çmimit të lirë të importit. Sipas tyre, sasia më e madhe e drithërave po importohet nga Serbia.