“DO KTHEHEN NË BUJKROBËR!” Shehu jep alarmin: Kuvendi për revanshin mbi Urdhrin e Mjekëve, denigrimin dhe shkatërrimin e sistemit
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, paralajmëron se në seancën plenare të kësaj të enjteje mazhoranca qeverisëse do të miratojë revanshin mbi Urdhrin e Mjekëve, që parasheh denigrimin e tyre dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në tërësi.
“Sot Kuvendi për revanshin mbi Urdhrin e Mjekëve, denigrimin e tyre, shkatërrimin e sistemit. Sot Kuvendi diskuton Aktin e paligjshëm Normativ të këtij regjimi, që shkel pavarësinë e atij Urdhri.
Që nëpërkëmb të drejtat e mjekëve si profesionistë, intelektualë. Që prek të drejtat e pacientit, i lirë të zgjedhë shërbimin mjekësor të dëshiruar.
Që cenon dhe cilësinë e shërbimit mjekësor në tërësi. Një revansh ky mbi parimet e demokracisë në tërësi.
Që tregon frikën e regjimit për dinjitetin intelektual. Që tenton të kthejë atë shtresë me vlera të mëdha për shoqërinë në bujkrobër.
Përballja me këtë regjim, ndalimi i tij në këto aventura kërkon të ndihet fort dhe zëri i mjekëve të nderuar.
Askush nuk duhet e mund të hezitojë sot”,shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, ligjvënësi demokrat Tritan Shehu