Mas*kra me dy viktima në Roskovec, gjykata lë në burg 4 të akzuarit
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “burg pa afat” për Altin Kukën dhe dy djemtë e tij, Emaurisio dhe Ervis Kuka, si dhe për Tomorr Zykën, 69 vjeç, i cili kishte strehuar të rinjtë pas vrasjes së vëllezërve Ladimir dhe Gramoz Kurtaj në Kurjan. Prokuroria ka ngritur akuza të rënda ndaj Altin Kukës dhe dy djemve të tij për vrasje në bashkëpunim dhe vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa Tomorr Zyka akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.
Në një seancë maratonë, gjyqtarja Gladiola Bregu shqyrtoi dosjen e prokurorisë, detaje të së cilës janë klasifikuar si sekret hetimor. Të akuzuarit qëndruan të heshtur gjatë gjyqit, duke ruajtur qëndrimin e parë të Altin Kukës, i cili ka pranuar se vrau vëllezërit për shkak të një konflikti të nisur mes djemve të tij dhe viktimave.
Sipas deklaratave të mëparshme të dhëna në polici, ngjarja nisi me një sherr mes djemve të familjes Kuka dhe viktimave, që fillimisht përfshinte një punonjës në pularinë e familjes Kuka. Konflikti u përshkallëzua pasi vëllezërit Gramoz dhe Ladimir Kurtaj shkuan për t’u sqaruar me babain e Altin Kukës, 79 vjeç. Në këtë takim, situata degjeneroi deri në përdorimin e armës nga Altin Kuka, i cili qëlloi me kallashnikov mbi dy vëllezërit.
Katër ditë pas ngjarjes, motivet e sakta të vrasjes së dyfishtë mbeten të paqarta. Megjithëse Altin Kuka është vetëdorëzuar në polici, duke pranuar fajin dhe duke treguar shkaqet që e çuan në këtë akt, mbetet ende mister përse një mik i vjetër i familjes Kurtaj arriti të vriste bashkëfshatarët dhe miqtë e tij me gjakftohtësi. Hetimet janë në vijim, ndërsa detaje të reja mund të zbardhin pistat e fshehura të kësaj ngjarjeje tragjike. Babai i Altin Kukës po ashtu është proceduar penalisht për armëmbajtje pa leje.