Balluku në Forumin Global të Dialogut në Berlin: Investitorë gjermanë, të interesuar për Shqipërinë
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Forumin Global të Dialogut në Berlin ku ka zhvilluar takime me investitorët gjermanë që janë të interesuar për të ngritur sipërmarrje në Shqipëri.
“Sot, në Berlin, u zhvillua Dialogu Global i Berlinit, në të cilin mora pjesë së bashku me ministrin e Financave dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, për të diskutuar me të gjithë partnerët e tjerë për sa i përket sfidave të mëdha që ka tashmë Europa, por sigurisht edhe vendet e vogla, ashtu siç klasifikohet Shqipëria, Luksemburgu, Hungaria dhe vende të tjera”, u shpreh Balluku.
Mora pjesë në disa nga këto panele, vijoi ajo, për të diskutuar dhe për të dhënë eksperienca më të mira që Shqipëria tashmë po aplikon, si për industrinë e turizmit ashtu dhe për t’u bërë sa më tërheqëse për investitorët e huaj.
Balluku tha se, gjatë ditës së sotme pati mundësinë të bisedonte edhe me një pjesë të investitorëve gjermanë të cilët janë të interesuar për të investuar në vendin tonë dhe për t’i informuar ata për të gjithë skemat e taksimit apo dhe të gjithë incentivat që po aplikohen në vend.
“Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian, duke pasur dhe parasysh hapjen e negociatave që ne presim në ditët në vijim”, deklaroi ajo.