Atentati me tritol për motrat Nikolli/ Vdes pas 3 muajsh komshiu i tyre, u plagos aksidentalisht
26-vjeçari që mbeti i plagosur nga shpërthimi me eksploziv në një pallat në Elbasan më 15 Korrik, ku shënjestër ishin dy motra, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital. Ai ishte në reanimacion prej rreth 3 muajsh por ndërroi jetë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
26-vjeçari ishte komshi me motrat Nikolli në një pallat në Elbasan, dhe mbeti i plagosur aksidentalisht nga shpërthimi i tritolit pasi nuk ka lidhje me ngjarjen.
Sipas hetimeve të policisë 3 muaj më parë, shënjestër e atentatit me tritol në pallat ishin pikërisht motrat Alda dhe Xhovana Nikolli. Pikërisht kjo e fundit ka dalë në media dhe rrjete sociale duke akuzuar Nuredin Dumanin si autorin që fshihet prapa vendosjes së tritolit. Sipas Xhovanës, motra e saj Alda ka qenë më parë në një lidhje romantike me Nuredin Dumanin.
Kurse vetë Xhovana ka pasur lidhje me Amarildo Xhanej nga Shkodra, i cili është i penduar i drejtësisë pasi u arrestua në Gusht të vitit 2023 në Vlorë me një armë me silenciator ku dyshohet se do të kryente një vrasje. Arrestimi i Xhanej e ktheu atë në të penduar të drejtësisë pasi përpara hetuesve ai ka rrëfyer disa krime, deklarime të cilat po verifikohen nga SPAK.
Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet e mundshme të vetë Xhovana Nikollit, që krahas lidhjes me të akuzuarin për vrajse, është bërë e njohur përmes videove të publikuara në rrjete sociale.
Tritoli që ishte vendosur në derën e banesës së motrave Nikolli ku banonin me qira, shkaktoi dëmtime të rënda në banesën ngjitur, duke lënë të plagosur komshiun e tyre 26-vjeçar, i cili fatkeqësisht humbi jetën sot.