Flakadanë e shpërthime me molotov në tubim, procedohen penalisht Flamur Noka dhe Gazment Bardhi!
Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli.
Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
“U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” (neni 262 i Kodit Penal, paragrafi i parë), për shtetasit: F. N., sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike; G. B., kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike”, njoftoi policia.
Ndërkohë u arrestua në flagrancë, 57-vjeçari Xhevahir Rrushi, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;
Ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 31-vjeçari me iniciale F. D., si edhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Blutë informojnë se si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital dhe janë jashtë rezikut për jetën.
Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 shtetas (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë dëmtuar me molotovë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
– 68 mbetje flakadani të plasur;
– 23 copa plastike të shisheve të djegura;
– 3 shishe plastike uji;
– 3 tymuese të plasura;
– 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur;
– 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë);
– 1 kuti cilindrike bombol;
– 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 07.10.2024, në orën 18:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë:
-arrestoi në flagrancë shtetasin: Xh. Rr., 57 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;
-procedoi në gjendje të lirë shtetasit F. D., 31 vjeç, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
Po kështu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” (neni 262 i Kodit Penal, paragrafi i parë), për shtetasit: F. N., sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike; G. B., kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. P., 46 vjeç, S. B., 49 vjeç, D. N., 62 vjeç, K. B., 22 vjeç, H. V., 68 vjeç, dhe e një shtetasi të mitur 17 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga nenet 274, 237, 151, 150, 282 dhe 236 të kodit Penal.
Ditën e djeshme, protestuesit fillimisht janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur te selia e Partisë Socialiste, godina e Ministrisë së Brendshme, godina e Bashkisë Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjatë rrugëtimit, protestuesit kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, mbi punonjësit e Policisë dhe godinat e institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital dhe janë jashtë rezikut për jetën.
Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 shtetas (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë dëmtuar me lëndë plasëse (molotovë) dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
– 68 mbetje flakadani të plasur;
– 23 copa plastike të shisheve të djegura;
– 3 shishe plastike uji;
– 3 tymuese të plasura;
– 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur;
– 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë);
– 1 kuti cilindrike bombol;
– 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë.