Plagosja në Ballsh, i moshuari jetonte me gruan dhe nusen e djalit, të rinjt iu futën natën në shtëpi, ku më pas janë përleshur me kryefamiljarin
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me konfliktin e ndodhur mes fqinjve në Ballsh, ku 76-vjeçari Agur Beqiraj plagosi me mjet prerës (thikë) dy vëllezërit Elis dhe Juli Pashaj.
Burime bëjnë me dije se Policia e Mallakastrës është njoftuar nga stafi mjekësor i spitalit të Ballshit, i cili raportoi se ishin paraqitur me plagë në pjesën e krahut dhe kokës dy shtetas.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune, ndërsa pas njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital për të marrë në pyetje dy vëllezërit e plagosur.
Pasi u shoqëruan në Polici, dy të rinjtë deklaruan para oficerëve të policisë gjyqësore se ishin konfliktuar me njëri-tjetrin, duke tentuar që të fshihnin rrethanat e ngjarjes.
Duke u nisur nga deklarimet kontradiktore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Policia e Mallakastrës bëri të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Burime bëjnë me dije se familja e dy vëllezërve jeton në katin e parë të një pallati, në lagjen “28 Nëntori” të Ballshit, dhe familja e të moshurit banon një kat më lartë, në katin e dytë, sipër shtëpisë së dy të rinjve të cilët jetojnë me prindërit.
Burime konfidenciale thonë se 26-vjeçari Juli Pashaj është futur gjatë natës në banesën e të moshuarit i cili ka konstatuar të riun brenda shtëpisë. Zhurmat e përplasjes mes të moshuarit dhe 26-vjeçarit i dëgjoi nga kati i parë vëllai i këtij të fundit, i cili i shkoi në ndihmë vëllait të vogël.
I moshuari dyshohet se ka plagosur me thikë duke tentuar të vrasë dy të rinjtë, teksa ende nuk dihen me saktësi arsyet e futjes së të riut në banesën e 76-vjeçarit gjatë orëve të vona të natës. Mësohet se 76-vjeçari jetonte me bashkëshorten e tij dhe me nusen e djalit së bashku me dy fëmijët e saj, pasi djalin e ka emigrant në Greqi. Edhe pse fqinjët kanë pohuar paraprakisht se i kanë ngacmuar nusen e djalit, nuk përjashtojnë dhe një tentativë për vjedhje.
Njoftim i DVP Fier:
Mallakastër/ Dhanë deklaratë të
rremë në Polici, për të fshehur ngjarjen, vihen në pranga 2 vëllezërit.
Në pranga dhe shtetasi që për motive të dobta plagosi me mjet prerës dy vëllezërit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër menjëherë pas njoftimit të marrë se në spitalin e Ballshit janë paraqitur 2 shtetas për mjekim, të plagosur me mjet prerës (thikë), kanë shkuar dhe kanë marrë kontakt me shtetasit e plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mallakastër shtetasit E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç (vëllezër), të dy banues në Ballsh, për të dhënë deklaratën mbi ngjarjen e ndodhur. Dy vëllezërit kanë deklaruar se janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke fshehur ngjarjen.
Nisur nga deklarimet kontradiktore të dy vëllezërve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë thelluar hetimet dhe si rezultat bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë plagosur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, nga shtetasi A. B., 76 vjeç, banues në Ballsh, (fqinji i tyre).
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, për veprën penale “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqsore”, dhe shtetasit A. B., 76 vjeç për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.