Shqipëria, një hap më tej drejt anëtarësimit në SEPA, kursimi vjetor deri në 20 mln euro
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje (14 tetor 2024) zhvilloi takime me Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Pagesave, dhe Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DG NEAR), pranë Komisionit Evropian, në Bruksel, në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur si SEPA.
Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian. Përfshirja e Shqipërisë në të do të ndikojë zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuuar në integrimin e mëtejshëm të saj me tregun e BE-së. Kështu, vendi ynë do të fitojë akses në një treg më të gjerë evropian, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe duke rritur tregtinë dhe investimet.
Më datë 12 qershor 2024, Sejko firmosi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA, duke u bërë, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian. Ky i fundit duhet të japë dakordësinë e tij, në kontekstin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në rregulla dhe standarde të njëjta.
Pas dorëzimit të aplikimit, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për plotësimin e kuadrit rregullator dhe krijimin e kushteve teknike në dobi të procesit, duke u angazhuar të përafrojë risitë ligjore e rregullative të BE-së, të cilat lidhen me SEPA-n.
Gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel, u theksua se të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përpjekje maksimale për anëtarësimin në SEPA dhe 3 prej tyre, përfshirë Shqipërinë, kanë përmbyllur me sukses fazën e aplikimit. Shqipëria është një ndër 3 vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë avancuar bindshëm drejt anëtarësimit në SEPA, dhe pritet që në muajt e ardhshëm të aderohen në të.
Guvernatori Sejko u shpreh se: “Pjesëmarrja në SEPA është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të hartuar nga Komisioni i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një objektiv afatgjatë për Bankën e Shqipërisë dhe vendin tonë. Prandaj, Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë standardet e larta të vendosura nga SEPA për sa i përket efikasitetit dhe sigurisë së pagesave. Ekonomia shqiptare është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ky anëtarësim ndihmon në uljen e ndjeshme të kostove të pagesave me BE-në dhe zonat e lidhura me të, nëpërmjet SEPA-s.
Vlen të përmendet se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka përafruar legjislacionin e saj dhe ka hartuar rregulloren përkatëse, si gurë themeli të kërkesave të SEPA-s.
Në fushën e pagesave, Shqipëria tregon një pajtueshmëri të lartë ligjore me acquis dhe me kuadrin rregullator të SEPA-s. Që prej vitit 2018, vendi ynë ka përshpejtuar përpjekjet në këtë drejtim, nëpërmjet hartimit nga Banka e Shqipërisë dhe miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij. Ky ligj përafron Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave, të njohur si PSD2. Ai siguron konkurrencë, transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit gjatë ofrimit të shërbimeve të pagesave, me të njëjtat standarde si në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloren 43/2024 “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”, e cila përafron më tej rregulloren përkatëse të BE-së.
Përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit evropian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ka një sërë përfitimesh të konsiderueshme për konsumatorin, bizneset dhe ekonominë shqiptare. Së pari, ajo ofron pagesa ndërkufitare në Euro, me të njëjtat kosto si ato brenda vendit dhe pas anëtarësimit, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët.
Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë, janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve tona paraprake, mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Më konkretisht, bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro – nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë nga fillimi i operimit në janar 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 95 milionë euro – vlerësohet se impakti i anëtarësimit në SEPA do të jetë dhe më i gjerë.
Së dyti, lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare me të.
Së treti, pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar – edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s. Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve.
Së katërti, pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria.
Së fundi, përdorimi i pagesave përmes SEPA-s pritet të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve, sa i përket mënyrave të kryerjes së pagesave elektronike (cashless). Ai shërben si instrument edukues dhe mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës.”