Aksioni i policisë në qendrat estetike në Tiranë, shpallet në kërkim doktori i “VIP”-ave Skerdi Faria
Skerdi Faria, doktori i famshëm estetit, është mes personave të shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në Shqipëri në kuadër të operacionit kundër kontrabandës së botoksit në qendrat estetike.
Deri tani nga ky aksion janë bastisur 30 qendra estetike dhe parukeri, si dhe janë sekuestruar sasi të mëdha të botoksit të kontrabanduar që më pas shpërndahej në këto pika dhe injektohej shpesh edhe pa licencën përkatëse.
Të arrestuar janë Mildon Kumaraku, administratori i kompanisë që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të klinikat, si dhe administratoret e 2 klinikave estetike, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj.
“Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim”, ka njoftuar policia, pa dhënë emrat e personave të shpallur në kërkim.
Momentalisht është e paqartë nëse Skerdi Faria ndodhet në Shqipëri apo jashtë shtetit. Ai është një personazh i njohur publik që njihet edhe si doktori estetist i “VIP”-ave. Deri tani, ai nuk ka bërë asnjë reagim publik, në Instagramin e tij, ku është tepër aktiv me mbi 200 mijë ndjekës./Voxnews.al