Qeveria miraton procedurat/ Përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore, të ardhurat nga licencat do kalojnë në buxhet
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme procedurën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit.
Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi që të ardhurat nga tarifa e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
Po ashtu, në vendim thuhet se të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia.
Të ardhurat e Agjencisë, sipas vendimit të krijuara nga veprimtaria e subjekteve të licencuara klasifikohen në strukturën buxhetore me kapitull “Të ardhura të veta jashtë limitit” të patrashëgueshme dhe përdoren vetëm për investime e shpenzime të mbarëvajtjes së veprimtarisë operacionale të Agjencisë.
Vendimi ngarkon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi vjen pas miratimit të ligjit për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij, për qëllime mjekësore dhe industriale” i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme, pas nismës së Këshillimit Kombëtar.
Në bazë të këtij ligji u ngrit edhe agjencia e posaçme në nivel kombëtar për mbikëqyrjen dhe kontrollin rigoroz të veprimtarisë të të gjitha subjekteve që do pajisen me licencë.