Gjermania rekruton indianë/ Kriza e madhe për punëtorë, ministri Heil: Do heqim pengesat burokratike
Gjermania planifikon të zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar duke punësuar në masë punëtorë nga India, njoftoi ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, këtë javë në Berlin.
Për këtë, shtoi ai, shteti do të marrë mbi 30 masa për eliminimin e pengesave burokratike në lidhje me dhënien e lejeve për punëtorët nga India.
Heil paralajmëroi se Gjermania po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore dhe këto pengesa po pengojnë rritjen dhe përparimin e vendit. Ministri ka frikë se situata do të përkeqësohet pasi Gjermania po përballet me shoqëri të plakur.
“Në Indi, situata është pikërisht e kundërta”, ka thënë ai dhe shpjegoi se tregu i punës atje e ka të vështirë t’i punësojë të gjithë njerëzit me arsim të lartë. Sipas tij, 1 milion njerëz i bashkohen tregut të punës në Indi çdo muaj, prandaj autoritetet indiane inkurajojnë migrimin.
“Në këtë këndvështrim, Gjermania e sheh Indinë si partner veçanërisht të rëndësishëm”, ka deklaruar ministri.
Siç ka bërë të ditur ai, Ministria e Punëve të Jashtme gjermane deri në fund të vitit do të dixhitalizojë dhënien e vizave për Indinë dhe pak më vonë edhe për vendet e tjera. Me këtë duan të përshpejtojnë punësimin e të huajve në Gjermani.
Po planifikohet gjithashtu promovim më i gjerë të gjuhës gjermane dhe në të njëjtën kohë ndihmë më të mirë për indianët që tashmë janë në Gjermani për të gjetur punë.