Anglia në gjueti të shqiptarëve, “BBC”: Fushatë e re kundër atyre që “blejnë” skllevër modernë për shtëpi bari
Autoritetet angleze kanë nisur një fushatë të re për goditjen e bandave shqiptare që rekrutojnë njerëz për shtëpitë e barit në Mbretërinë e Bashkuar.
BBC i ka kushtuar një artikull bandave kriminale shqiptare që trafikojnë njerëz duke i detyruar të punojnë në fermat e kanabisit.
Në artikullin me titull “Goditje bandave të kanabisit të skllavërisë moderne shqiptare” thuhet se policia e Mançesterit arrestoi 46 shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis.
Sipas të njëjtit shkrim grupet kriminale blejnë makina të shtrenjta dhe rroba e ora të stilistëve të njohur. Në këtë mënyrë ata kthehen në vendin e tyre gjë që inkurajon një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Drejtuesi i policisë, Joe Harrop thotë se grupet nga Ballkani Perëndimor ishin fokusi i një operacioni të fundit që ka përfshirë forca policore nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar.
“Shpesh, bandat shqiptare kanë blerë njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në vende si fermat e kanabisit. Këto janë kushte të tmerrshme. Ata jetojnë dhe flenë brenda fermave dhe nuk mund të largohen.” – tha Harrop.
Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se, në fund të marsit 2024, më shumë se 1200 shqiptarë mbaheshin në burgjet në Angli dhe Uells – më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj