Pesë fëmijë në 7 vjet, 26 vjeçarja nga Fieri: Doja gjithmonë një familje të madhe
Mes gjithë punëve zgjodhi më të vështirën, atë që e shmangin shumica e grave: Nënë me kohë të plotë.
Mes të gjitha mundësive që mund të rrëmbente nga jeta, zgjodhi që të kishte prehrin plot me krijesa dashurie dhe mos stepej nga familja e madhe.
Kristjana Qerimaj ka mbi 7 vjet që nuk e ka më luksin e gjumit të plotë e të thellë. Është mësuar që të flejë me “një sy hapur”, pasi në çdo kohë një nga 5 fëmijët e saj mund të zgjohet dhe të ketë nevojë për të, për dorën apo fjalën e saj. Është vetëm 26 vjeçare dhe nënë e plot 5 fëmijëve nga 7 vjeç deri në dy muajsh.
5 femijet e ciftit Qerimaj
Kristjana u bë nënë për herë të parë pasi kishte mbushur 18 vjeç dhe që atëherë pothuajse çdo vit ka përjetuar gëzimin, por edhe ankthin e shtatzanisë dhe mëmësisë.
Çifti i ri Kristjana e Skerdilajd Qerimaj janë me origjinë nga Fieri, por u rritën në Greqi, ku dhe u takuan kur ishin më të rinj. U panë në sy dhe besuan se do të plakeshin bashkë…
Skerdilajd e Kristjana Qerimaj
Gëzimi i parë nuk vonoi që të vinte. E para ishte vajzë. E pagëzuan me emrin Riverina dhe dashuria e tyre e parë ishte aq e mbarë sa pak muaj me vonë “tërhoqi këmbën zvarrë” dhe u bë me një motër.
Riverina Qerimaj
Foto e publikuar me autorizimin e familjes
Në fakt mami Kristjana thotë se Riverina është më vështira në karakter nga të gjitha fëmijët, por tashmë e futur fort në rolin e motrës së madhe, ajo është një “lider” për më të voglat.
Emily Qerimaj
Foto e publikuar me autorizimin e familjes
E dyta, një “poçe” e vërtetë, erdhi Emily, e cila sot është 5 vjeçe dhe është më mistrecja nga të gjitha.
Katalea Qerimaj
Foto e publikuar me autorizimin e familjes
Katalea, 3 vjeç, duket se ka vetëm një mision në jetë: të mos kalojë pa u vënë re dhe të bëjë zhurmë sa të mundet.
Solei Qerimaj
Foto familjare
Pas saj, një diell i katërt shkëlqeu fort në familjen Qerimaj dhe erdhi në jetë Solei, fëmija më i dashur deri tani…
Kur nuk e prisnin erdhi në jetë dhe fëmija i pestë. Më në fund djalë pas 4 motrave. Kristjana rrëfeu për “Versus” se ka dashur gjithmonë një familje të madhe, por nuk e kishte besuar kurrë që do të kishte 5 fëmijë në 7 vjet.
“Në fakt, dy vajzat e dyta, i bëra se vajzat e mëdha kërkonin një vëlla, por djali nuk e kishte në plan të vinte. Kur unë mendova se nuk do të bëja me fëmijë për disa kohë, kuptova shenjat e pagabueshme tashmë për mua të shtatzanisë. Me një sinqeritet të pazakontë për kë rrëfehet në media (dhe do që jeta saj/tij të duket perfekt) ajo tha për VS se e kanë menduar edhe abortin, pasi shtatzania e pestë erdhi shumë shpejt pas lindjes së vajzës së kartërt.
“E menduam disa ditë, por më pas vendosëm që ta mbanim edhe nëse do të ishte vajzë. Siç duket, kur bëmë këtë pakt me vete, Zoti na bekoi me një djalë”
Rian Qerimaj
Foto familjare
Riani ka lindur para dy muajve dhe për momentin meriton ndoshta vetëm epitetin “qaramani” vockël, por ai ka të drejtë të llastohet, ka mbi vete jo vetëm sytë e dye prindërve, por edhe ato të katër motrave.
Sfida e një nëne me shumë fëmijë
Prej vitesh trupi i saj nuk njeh paqe. Fle nga 4-5 orë në ditë maksimumi dhe pastaj “vrapon” nëpër shtëpi sa tek njëri fëmijë tek tjetri. Sfida e përditshme veç larjes-shpërlarjes është dhe gatimi për një nënë me shumë fëmijë.
“Sapo ngre tavolinën filloj të mendoj se çfarë do të nis të gatuaj pas një ore”, – rrëfen Kristjana, e cila duket sikur nuk ja lejon vetes të ndjehet e lodhur dhe se kjo ndjesi është “luks” kur ke aq shumë pergjegjësi.
7 antaret e familjes Qerimaj
“Unë dua që fëmijët e mi të rriten të lumtur, të më kenë pranë dhe të mos ju mungojë asnjë. Nuk mendoj asgjë për vete dhe nuk dua asgjë më shumë se shëndeti dhe lumturia e tyre,”- thotë ajo për Versus.
Ajo ka një mesazh për të gjitha gratë: “Mos u dorëzoni, bëni fëmijë. Asgjë nuk duhet t’ju ndalojë (veç Zotit e shëndetit) për të provuar ndjesinë e mëmësisë. Edhe familjet e mëdha funksionojnë, e madje me shumë dashuri, sepse ka shpirt “skuadre”!
Kur nisi të publikojë fotot e para me familjen e madhe në rrjetet sociale, “e kryqëzuan” që aq e re kishte bërë aq fëmijë.
“Nuk duam t’ja dimë fare se çfarë thonë. Ne fëmijët i duam dhe mendojmë se do të bëjmë aq sa të dojë Zoti. Nuk më diktojnë dot “gojët” e Instagramit apo Tik Tok sesa fëmijë të bëj. Por shumë komente kanë qenë pozitive dhe shumë mbështetëse,” – thotë Kristjana, e cila lindjen e fëmijëve e ka kthyer në një “sport” tashmë që i jep shumë emocione pozitive.
Ajo është një nënë e lumtur, se në fund të fundit ka plot 5 arsye madhore për të thurur ëndrra