“Divorci i gjumit”: Trend i ri për përmirësimin e marrëdhënieve në çift përmes gjumit të ndarë.
Sipas një studimi të ri, ‘divorci i gjumit’ po bëhet një praktikë gjithnjë e më e zakonshme për çiftet. Ky fenomen përfshin zgjedhjen për të fjetur veçmas, në vend që partnerët të flenë së bashku çdo natë, dhe ekspertët sugjerojnë se kjo mund të përmirësojë marrëdhënien.
Çfarë është ‘Divorci i Gjumit’? ‘Divorci i gjumit’ i referohet thjesht zgjedhjes së çifteve për të pasur kushte të ndara gjumi, duke shmangur prishjet e gjumit për shkak të lëvizjeve apo temperaturës së trupit të partnerit. Sipas raportit të trendeve të Hilton për vitin 2025, çiftet po e praktikojnë këtë edhe gjatë pushimeve për të rifituar energjinë e humbur nga mungesa e gjumit.
Rezultatet tregojnë se 63% e udhëtarëve pranojnë se flenë më mirë kur janë në shtratin e tyre të veçantë, ndërsa 37% e preferojnë gjumin në shtrat të ndarë edhe kur janë me pushime, sidomos kur udhëtojnë me fëmijët.
Një sondazh online nga Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit (AASM) zbuloi se mbi një e treta e amerikanëve ndjekin këtë trend. Burrat janë 45% më të prirur të flenë në divan ose dhomë tjetër, ndërsa 25% e grave pranojnë se largohen nga dhoma e përbashkët për një gjumë më të qetë.
Çfarë thonë ekspertët për divorcin e gjumit? Pulmologia Dr. Seema Khosla thekson se çiftet që flenë keq kanë më shumë gjasa të grinden dhe të ndihen të tensionuar për shkak të lodhjes. “Gjumi i mirë është jetik për shëndetin dhe lumturinë, kështu që nuk është çudi që disa çifte zgjedhin të flenë veç për mirëqenien e tyre,” shpjegon ajo.
Këshilltarja e shëndetit mendor Stacy Thiry shton se praktika e gjumit veçmas mund të zvogëlojë ‘zënkat’ ose ‘frustrimin’ gjatë pushimeve dhe mund të rrisë lidhjen emocionale, pasi partnerët ndihen më të çlodhur dhe të freskët. Sidoqoftë, ajo thekson se largësia fizike mund të ndikojë në afërsinë dhe intimitetin e çiftit, por mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë nëse ky lloj gjumi funksionon më mirë për ta.