I shpallur në kërkim, 41-vjeçari gjerman tenton të dalë nga Shqipëria me pasaportën e dikujt që i ngjante, arrestohet në portin e Durrësit
Një 41-vjeçar gjerman i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, u arrestua sot në Portin e Durrësit pasi tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportën e një shtetasi me të cilin kishte ngjashmëri. Mësohet se 41-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata lokale e Lorrach, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
NJOFTIMI:
Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportën e një shtetasi me të cilin kishte ngjashmëri, vihet në pranga 41-vjeçari nga Gjermania. 41-vjeçari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe verifikimet, me qëllim ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga porti i Durrësit. Si rezultat i kontrolleve nga Policia Kufitare dhe i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi M. W., 41 vjeç, banues në Gjermani.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata lokale e Lorrach, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. Pasaporta që paraqiti ky shtetas është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pasaportë me gjeneralitet e tij, e dyshuar e falsifikuar, të cilën e kishte me vete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Gjermani.