‘Reagim nga kabina telefonike e Burgut të Fierit!’, Ervin Salianji për aksidentimin e 8-vjeçarit në Peqin dhe protestën e banorëve: Jeta në këtë vend është zhvlerësuar!
Fier– Ish-deputeti i partisë Demokratike, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burgim të formës së prerë nga Apeli, për dosjen “Babale” me akuzën “kallëzim i rremë”, ka bërë sot (8 Nëntor) një reagim të radhës nga qelia e Burgut të Fierit, ku po e vuan këtë dënim.
Ish-ligjvënësi ka përcjellë përmes medias, protestën e banorëve të Pajovës në Elbasan, pas ngjarjes tragjike të humbjes së jetës në rrugë të një fëmije 8-vjeçar, ngjarje e ndodhur më 31 Tetor.
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen tragjike të djalit të tyre, Salianji ka shprehur solidaritet të plotë me kërkesat legjitime të komunitetit të banorëve, teksa e quan “Reagim nga kabina telefonike e Burgut të Fierit”.
“Jeta në këtë vend është zhvlerësuar në të gjithë territorin e tij dhe dhjetëra shqiptarë po humbin jetën në aksidente tragjike apo nga plumba që vërshojnë rrugëve nga përplasjet e krimit”, shkruan në rrjetin Facebook ish-deputeti.
Salianji kërkon reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për vendosjen e tabelave, mbikalimeve dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme për të dhënë garanci për sigurinë e jetës së këtyre banorëve.