“21 Janari”/ Basha pranoi se donte të jepte dorëheqjen, Vangjeli e zbulon: Ja kush ishin dy personat që nuk e lanë të ikte
I ftuar në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo në News24, ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zbuluar mbrëmjen e djeshme se ka dashur të japë dorëheqjen në lidhje me 21 janarin.
Ai u shpreh se hoqi dorë nga një vendim i tillë pasi çdo dilemë etike për të braktisur detyrën do të ishte me pasoja.
Ka qenë analisti Lorenc Vangjeli i cili ka zbuluar dy emrat të cilët sipas tij e kanë bindur Bashën të mos jepte dorëheqjen nga posti ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Sipas Vangjelit kanë qenë ish-presidenti Bamir Topi dhe i ndjeri Sokol Olldashi ata që e ndaluan të merrte një vendim të tillë.
Pjesë nga diskutimi:
Endri Xhafo: A kërkuat të dorëhiqeshit atë ditë, por disa persona ju këshilluan të mos e bënit?
Lorenc Vangjeli: Dy emra ua them unë, Bamir Topi president i Republikës dhe i ndjeri i paharrueshëm, Sokol Olldashi.
Lulzim Basha: Atë ditë dhe në javën në vijim çdo dilemë etike për të braktisur detyrën do të ishte me pasoja për një ngjarje të nderë të rendit publik. Kam bërë një zgjedhje jo të lehtë në funksion të interesit publik.