Del lista e 12 kandidatëve që u kualifikuan për Drejtor Policie në Qarqe, pritet emërimi në detyrë nga Ilir Proda
Këtë të premte përfundoi procesi i verifikimit për aplikantët për drejtorë të Policisë në qarqe. Nga 43 aplikantë u kualifikuan 42, ndërsa Ervin Ndreu u skualifikua.
Ndreu u skualifikua për shkak të gradës që ka. Për të aplikuar duhet të kesh gradën drejtues, të cilën Ndreu e ka fituar, por nuk e ka të shpallur sepse nuk e mban vendi i punës, ku aktualisht është shef i komisariatit nr.6.
Pas verifikimit, procesi kaloi në procedurën tjetër të kualifikimit. Weblajm.com ka zbardhur listën me 12 të kualifikuarit për Drejtorë të Policisë në qarqe.
1.Vilson Bala
2. Ervin Ndreu
3. Islor islami
4. Artur Shira
5. Altin Mena
6. Elton Alushi
7. Sulë Cara
8. Fatmir Lleshaj
9. Ardrit Elmazi
10. Artion Duka
11. Luigj Vathi
12. Altin Merizaj
Nga kjo listë me më të kuotuarit bie në sy se një sërë drejtuesish janë skualifikuar përfshirë edhe kreun aktual të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj. Ndërsa kreu aktual i Policisë Gjirokastër z.Ardian Çipa është tërhequr nga gara.
Pas kualifikimit të 12 aplikantëve, procesi i radhës është emërimi në detyrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Është pikërisht Proda që në fund do emërojë secilin si drejtor të policisë në 12 qarqet e vendit.
Pas emërimit të Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit, gara u hap edhe për drejtues Policie në 12 qarqet e vendit. Kjo garë ka ngjallur mjaft interes tek dhjetëra efektivë. Një pjesë prej tyre u bë me dije më herët se janë efektivë me postin nëndrejtor në Drejtoritë e qarqeve. Ndërkohë, sa i përket drejtuesve aktualë u tha paraprakisht se deri më tani kanë aplikuar, Tonin Vocaj, Gjovalin Loka, Skënder Hitaj, Alfred Elezaj, Ermal Muca, Ardian Çipa, Lorenc Panganika.
Njësoj si për Drejtorin e Policisë se Shtetit, edhe për drejtuesit e policisë në qarqe, kërkohet pastërtia e figurës së kandidatëve, e cila do të verifikohet nga një Komisioni i Posaçëm, i cili është ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ilir Proda u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas një procesi konkurrimi me më shumë se 10 drejtues të lartë policie.
Emërimi i tij u konfirmua nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Proda ka një karrierë gati 19-vjeçare në Policinë e Shtetit, duke filluar si specialist i policisë kriminale në vitin 2005 dhe duke përfituar nga përvoja në role të ndryshme në policinë e Elbasanit dhe në poste të tjera të larta.
Ai ka kaluar të gjitha fazat e verifikimit nga organet ligjzbatuese, duke përfshirë procesin e pastërtisë së figurës, dhe është zgjedhur mes disa kandidatëve për të drejtuar Policinë e Shtetit.
Proda ka pasur një karrierë që ka përfshirë poste të ndryshme, përfshirë drejtor në Elbasan, dhe ai është i njohur për përvojën e tij në hetimin e krimeve.