Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq biznesmenin Julian Morina dhe shoqërinë “Xheluks Construksion” për ndërtim të paligjshëm
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin Julian Morina, i njohur si Lul Morina, dhe shoqërinë “Xheluks Construksion” shpk për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, të parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve të kryera për periudhën 2021-2024, u konstatuan tejkalime të lejeve të ndërtimit dhe ndërtim objektesh pa leje në disa zona të Tiranës, përfshirë Liqenin e Thatë dhe Rrugën e Elbasanit.
Në zonën e Liqenit të Thatë, kompania kishte leje për godina banimi dhe shërbimi deri në 6 kate mbi tokë dhe 3 kate nën tokë. Hetimet zbuluan një shtesë ndërtimi prej 2,500 m² mbi lejen e miratuar, si dhe një objekt të ri pa leje, me 7 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë, me një sipërfaqe prej 4,622 m².
Në Rrugën e Elbasanit, nga kontrollet teknike rezultoi një shtesë ndërtimi prej 5,866.88 m² në objektet e miratuara për godina banimi dhe shërbimi deri në 7 kate me dy kate parkim.
Në total, u dokumentua një sipërfaqe ndërtimi e paligjshme prej 15,974.88 m². Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vlerëson se janë konsumuar elementët e veprës penale, duke kërkuar ndjekje ligjore për shtetasin Julian Morina dhe shoqërinë “Xheluks Construksion” shpk.