Policia po fsheh ngjarjen? Babai i të plagosurit: Dy persona goditën Martinin dhe Luisin
Ngjarja që shokoi të gjithë opinionin publik te shkolla “Fan Noli” duket se mbart ende shumë mister dhe policia po mban të fshehtë një tjetër autor!
Babai i Luisit, djalit të plagosur pas sherrit ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ka shokuar me deklaratën e tij ku tregon se i biri dhe Martini janë goditur nga dy persona, dhe jo vetëm një siç ka njoftuar policia.
Ai ka treguar dhe emrin e personit tjetër që ka goditur Martinin dhe djalin e tij. Sipas tij ai është Kledjon Begaj një shok i autorit të dyshuar, Mario Përlleshaj.
“Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël thikën dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë”, tha babai i Luisit në emisionin Review në Euronews Albania.
Babai i Luisit shprehet se i biri i ka treguar se e ka goditur një person i madh në moshë.
“Ne jemi Komshi me Martinin dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, ishin dhe në stërvitje bashkë dhe gjithmonë i merrja unë te dy. Ata ishin të pandarë dhe ishin si vëllezër dhe përveç sportit merreshin dhe me not.
Unë kam folur me Luisin për ngjarjen, dhe ai mban mënd vetëm pjesën e konfliktit, dhe ai ka shkuar atje sepse e ka kërkuar Martini i cili i ka thënë djalit tim që më ka goditur një person i madh në moshë”, thotë babai i Luisit.
Ai tregon se djali i tij Luisi është në intubim pasi thika i ka prekur mëlçinë.
Babai i Luisit ka denoncuar edhe dështimin e shëndetësisë në Shqipëri. Ai tregon se i biri e ka krahun e majtë pothuajse të paralizuar dhe po i bëjnë fizioterapi në mënyrë private pasi nga spitali nuk po i ofrojnë as piskolog as fizioterapi.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as piskolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjëndjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmisohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë”, tha babai i Luisit.