Lajmi i mirë për pensionistët, javën e dytë të Dhjetorit nis ndarja e bonusit të fundvitit
Bonusi i fundvitit, i cili do të jetë në vlerën e 100 deri në 150 euro, në varësi të masës së pensionit do të ndahet për të moshuarit në javën e dytë të dhjetorit. Lajmin e bëri të ditur vet kryeministri Edi Rama nga Bulqiza ku u prezantua projekti “Divizion” për transformimin e një objekti të braktisur dikur në pronësi të ushtrisë në një destinacion turistik.
“Deri përpara dy ose tre vitesh do të ishte e paimagjinueshme, ku 100 milionë euro do të jepen për pensionistët. Pensionistët që i kanë pensionet deri 20 mijë Lekë të reja do të marrin 150 Euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë Lekë të reja do të marrin 100 Euro. Dhe të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen duke filluar nga java e dytë e Dhjetorit.
Ne do të nxjerrim një bonus tjetër që nuk ka qenë më parë për pensionistët, një bonus për pranverën, ku edhe në mandatin e katërt do vazhdojmë ta mbajmë, ku edhe në këtë bonus dhe sasinë e tij, pensionistët do të njihen brenda pak ditëve. Do të marrin edhe informacionin e saktë se sa do të marrin në pranverë, gjatë shpërndarjes së bonusit të Dhjetorit”, tha Rama.
Janë rreth 511 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga bonusi i fundvitit ndërsa ndryshe nga çdo vit, një tjetër bonus do të shpërndahet edhe në muajt e parë të 2025, i cilësuar si bonusi pranverës.