Përurohet sheshi i gjelbër “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në bashkinë e Ferrarës në Itali
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola mori pjesë në ceremoninë e përurimit të sheshit të gjelbër “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në bashkinë e Ferrarës, Itali.
Aktiviteti mblodhi personalitete të rëndësishme vendore, përfshirë kryetarin e bashkisë së Ferrarës, Alan Fabri, prefektin Massimo Marchesiello, përfaqësuesin e Dhomës së Deputetëve, Mauro Malaguti, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe atij italian.
Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohje të thellë ndaj bashkisë së Ferrarës për këtë nismë, duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë.
Ai theksoi se, komuniteti arbëresh është ruajtës i vyer i kujtesës historike dhe kulturore shqiptare në Itali.
“Italia luan një rol të veçantë dhe të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u shfaqur si një donator i madh dhe një partner strategjik tregtar”, tha ai./ATSH/