Behgjet Pacolli dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit” ofrojnë ndihmë për këngëtaren e njohur shqiptare, Parashqevi Simakun.

Në një takim të mbajtur sot me humanistin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada, Donat Syla, u diskutua për gjendjen e rëndë të këngëtares së njohur shqiptare, Parashqevi Simaku. Në këtë rast, Behgjet Pacolli deklaroi gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë konkrete artistes, e cila ka dhënë një kontribut të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare.
Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli” janë zotuar të vënë në dispozicion një banesë për këngëtaren dhe të marrin përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri. Gjithashtu, Pacolli garantoi punësim adekuat ose një pension të përhershëm për Simakun, duke theksuar rëndësinë e përkujdesjes ndaj figurave të shquara që kanë dhënë shumë për kombin.
“Shoqëria jonë duhet të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin,” u shpreh Pacolli, duke apeluar për solidaritet dhe mbështetje ndaj artistëve dhe personaliteteve shqiptare në vështirësi.