Banorët e Roskovecit protestojnë kundër ndërtimit të termocentralit 170 MW

Dhjetëra banorë nga fshatrat Suk 1, Suk 2, Arapaj, Jagodinë dhe Strum në Roskovec u ngritën sot në protestë kundër ndërtimit të një termocentrali të ri me kapacitet 170 MW, të miratuar nga qeveria. Sipas banorëve, projekti, i cili do të prodhojë energji nga gazi, përbën një kërcënim serioz për mjedisin, shëndetin e popullatës dhe ekonominë lokale, duke dëmtuar veçanërisht 700 hektarë tokë bujqësore të mbjella me sera.
Në deklaratat e tyre, protestuesit e cilësuan këtë projekt si një “rrezik për të ardhmen” e zonës, duke theksuar mungesën e transparencës dhe konsultimeve nga ana e autoriteteve. Ata shprehën shqetësimin për shpopullimin e zonës dhe për pasojat e rënda mbi shëndetin e fëmijëve dhe komunitetit në tërësi.
Për të shprehur revoltën e tyre, banorët i vunë flakën një prej shtyllave të betonit të vendosura për piketim, ndërsa paralajmëruan se do të vijojnë kundërshtimet deri në nivele ndërkombëtare, duke përfshirë Parlamentin Europian.
Sipas vendimit të qeverisë, termocentrali pritet të ndërtohet dhe të vihet në funksion brenda 36 muajve, duke operuar për një periudhë 49-vjeçare. Megjithatë, banorët kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri në ndalimin e këtij projekti.