E RËNDË/ Polici që arrestoi djalin e Samir Manes hidhet nga pallati 11-katësh. Dyshohet se është kërcënuan pse zbatoi ligjin

Është hedhur sot nga pallati polici i qarkullimit rrugor, Azbi Spahiu. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Në momentin që është hedhur nga pallati 11-katësh, ai ka mbetur te kabllot e internetit dhe më pas është përplasur. Pas ngjarjes dyshohet se fshihet një prej skandaleve më të rënda, tregues i kapjes së shtetit dhe i tradhtimit të punonjësve të policisë përballë të pushtetshmëve që sfidojnë barazinë para ligjit.
Shqip.com mëson se Azbi Spahiu është polici i qarkullimit rrugor, i cili arrestoi disa ditë më parë djalin e biznesmenit Samir Mane, Martin Mane.
27 vjeçari ka qenë duke drejtuar makinën në afërsi të Parlamentit, kur ka humbur drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë ai ka përplasur automjete të tjera në anë të rrugës. Për fat nuk ka patur të lënduar, por i riu është vënë në pranga për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit.
Ndërkaq, një prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës, për të cilën do të flasim në vijim, e ka nxjerrë të paligjshëm arrestimin e Martin Manes. Sipas burimeve, ndaj Azbi Spahiut ka pasur presion nga eprorët se pse ka zbatuar ligjin në për rastin e djalit të biznesmenit Mane. Mësohet se ndaj policit të qarkullimit rrugor ka nisur edhe një hetim disiplinor. Në vend që të vlerësohej për zbatimin e ligjit njëlloji për të gjithë, ndaj policit ka nisur një procedim disiplinor nga AMP.
Njoftimi i policisë:
Me datë 15.01.2025, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, dyshohet se ka rënë nga lartësia e një pallati shtetasi A.S, rreth 57 vjeç, me detyrë Specialist i Qarkullimit Rrugor Tiranë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi Hetimor po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.