Punonjësit e Policisë Fier dhurojnë gjak për fëmijët me Talasemi
Fier, 21 janar 2025 – Punonjësit e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier iu bashkuan një nisme humanitare, duke dhuruar gjak për fëmijët e prekur nga Talasemia. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Tiranë, në kuadër të fushatës “Dhuro gjak, shpëto jetë!”.
Me këtë akt solidariteti, Policia e Fierit tregoi angazhimin e saj përtej detyrës së përditshme për garantimin e sigurisë dhe rendit publik. Dhurimi i gjakut u cilësua si një gjest që simbolizon mbështetjen ndaj komunitetit dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë.
“Ky veprim është një mënyrë për t’i ofruar shpresë dhe mbështetje fëmijëve që përballen me sfida të vështira shëndetësore. Policia mbetet gjithmonë pranë komunitetit, duke ndihmuar jo vetëm me rendin, por edhe me akte të tilla humanitare,” u shprehën përfaqësues të Drejtorisë së Policisë Fier.
Kjo nismë pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë për të ndërtuar një lidhje më të fortë me qytetarët, duke dhënë një kontribut të çmuar në shpëtimin e jetëve.