I zhdukur prej disa ditësh, gjendet trupi i pajetë në lum.
Edison Oruqi, një banor i zonës dhe baba i tre fëmijëve, është gjetur i pajetë në ujërat e lumit të Shalës, në Koman. Trupi i tij u zbulua paraditen e sotme nga familjarët gjatë kërkimeve intensive pas zhdukjes misterioze që ndodhi të shtunën. Për shkak të rrjedhës së fortë të lumit, familjarët nuk kanë mundur të nxjerrin trupin dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve, policisë dhe polumbarëve për ndërhyrje të specializuar.
Oruqi punonte në një bujtinë në zonë dhe dyshohet se pas përfundimit të punës është lënë në një gadishull të vogël me rërë, larg destinacionit të tij, nga punëdhënësi, për shkak të vështirësive në qasjen me varkë. Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta dhe kërkojnë një hetim të plotë nga autoritetet për të sqaruar shkaqet e tragjedisë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngritur shqetësime mbi sigurinë në këtë zonë turistike të njohur për rrjedhat e forta të lumit dhe aksesin e kufizuar.