Qeveria kufizon kompetencat e Ballukut: I heq lejet e ndërtimit rreth aeroporteve.

Një vendim i Qeverisë i kufizon të drejtën Belinda Ballukut për të dhënë leje ndërtimet në hapësira të gjera rreth aeroporteve të vendit. Në mbledhjen e fundit qeveria ka zhbërë vendimin e saj të datës 18 dhjetor.
Në VKM-në e miratuar me 19 shkurt 2025, Qeveria kufizon ndjeshëm territorin ku Autoriteti i Aviacionit Civil, nën varësinë e Ballukut, ka kompetencë për të dhënë miratim për lejet e ndërtimit, ndërkohë që më parë ishte me një rreze prej 15 kilometrash rreth 3 aeroporteve të vendit, ku mes të tjerash përfshinte thuajse gjithë Tiranën.
Qeveria në vendimin e ri e ka ndarë zonën e mbrojtur në aeroporte në tre kategori të ndryshme: Kategoria A, me rreze 2 km nga pika e referimit të aeroportit, kategoria B me 2 km të tjera që vijojnë nga fundi i kategorisë A, dhe e fundit kategoria C që vijon me 11 km e tjera.
Me vendimin e ri Autoriteti i Aviacionit Civil jep miratim vetëm për ndërtimet që pengojnë operimet ajrore.
Në zonën A, pra në një rreze prej rreth 2 km nga pika e referimit të aeroportit dhe në zonën B, pra rreze 2 km të tjera, AAC jep miratim për të gjitha ndërtimet që pengojnë fluturimet pavarësisht lartësisë së tyre.
Ndërsa në zonën C jep miratim vetëm për ndërtimet mbi 30 m lartësi.
Këshilli Kombëtar i Territorit jep të gjitha lejet e ndërtimit në zonën A, të gjitha lejet e ndërtimit mbi 15 metra në zonën B dhe të gjitha lejet e ndërtimit mbi 30 metra në zonën C.
VKM i shtrin efektet e vendimit të datës 19 shkurt, që nga 23 dhjetori 2024, datë kur vendimi i parë hyri në fuqi.