Fier – Policia finalizon operacionin “Zona”, goditet grupi kriminal që shpërndante kokainë në Divjakë

Fier, 7 Mars – Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Zona”, pas një hetimi gjashtëmujor të ndjekur me metoda speciale, për goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në shitjen e kokainës në Divjakë.
Si rezultat, janë vënë në pranga tre shtetas, mes tyre dy vëllezër, të cilët konsiderohen si organizatorët e grupit, si dhe një pjesëtar tjetër i rrjetit. Gjithashtu, janë shoqëruar 10 persona të tjerë për verifikim të mëtejshëm dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për dy shtetas.
Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar dhjetëra doza kokaine, tre armë gjahu, një armë sportive, një armë të ftohtë, municion luftarak, dy peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe lekë, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Operacioni është kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar dhe vënë përpara drejtësisë të gjithë pjesëtarët e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.