Agjenti i infiltruar çmontoi rrjetin e drogës në Divjakë, 10 persona nën hetim

Një operacion policor që ka zgjatur gjashtë muaj ka çmontuar një grup kriminal të përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Divjakës. Hetimet zbuluan se droga shitej brenda territorit të qytetit, ndërsa anëtarët e grupit e mbulonin veprimtarinë e tyre duke u mbrojtur reciprokisht.
Dy vëllezërit Prifti, Arnold dhe Mariglen, konsiderohen krerët e grupit, ndërsa mes të dyshuarve janë edhe Olsi Lala dhe Emiljano Todi. Droga mbahej në një banesë që nuk ishte në pronësinë e tyre, për të shmangur gjurmët.
Policia përdori një agjent të infiltruar për të mbledhur prova, por pavarësisht disa blerjeve të kryera nga ai, vetëm një rast u dokumentua plotësisht. Për këtë arsye, 10 personat e përfshirë janë aktualisht nën hetim, por pa masa arresti për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.