URDHËROHET BLLOKIMI I TIKTOK NË SHQIPËRI. DATA KUR APLIKACIONI DO TË JETË JASHTË PËRDORIMIT

Autoritetet urdhërojnë bllokimin e TikTok në Shqipëri
Tiranë, 11 Mars 2025 – Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka urdhëruar bllokimin e aksesit në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar. Vendimi vjen në bazë të shkresës nr. 1196 prot., datë 10.03.2025, administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025.
Sipas urdhrit të AKSK-së, operatorët që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike duhet të ndërmarrin veprimet e mëposhtme për të ndaluar aksesin në platformë:
🔹 Bllokimi i IP-ve të TikTok në Shqipëri
🔹 Bllokimi i DNS-ve të TikTok
🔹 Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok
🔹 Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance, e cila është pronarja e TikTok
Në shkresën e AKSK-së citohet si bazë ligjore Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025, i cili përcakton listën e IP-ve dhe domaineve për t’u bllokuar. Po ashtu, bllokimi mbështetet në ligjin nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloret përkatëse të AKEP.
Operatorët e internetit në vend duhet të konfirmojnë me shkrim bllokimin e aksesit brenda datës 13 Mars 2025, duke raportuar pranë AKEP dhe për dijeni AKSK.
Ky vendim ngre pikëpyetje mbi ndikimin e tij tek përdoruesit shqiptarë të TikTok, të cilët përdorin platformën për komunikim, argëtim dhe promovim biznesi. Mbetet për t’u parë nëse ky bllokim do të sjellë reagime nga publiku apo vetë kompania ByteDance.