Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, uron besimtarët për Natën e Kadrit: Zoti i Madhëruar na e pranoftë adhurimin dhe lutjet tona

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Natës së Kadrit.
Ai e cilësoi këtë natë si një nga më të rëndësishmet e vitit, ku sipas Kuranit, ajo është më e vlefshme se një mijë muaj adhurim
Në mesazhin e tij, Spahiu theksoi rëndësinë e lutjeve dhe adhurimit në këtë natë.
Në përfundim, kreu i KMSH-së uroi që kjo natë të sjellë mëshirë dhe falje hyjnore për të gjithë, ndërsa i ftoi besimtarët të shfrytëzojnë bekimet e saj me adhurim dhe përkushtim.
Mesazhi i plotë:
Bismilahi-r-Rrahmani-r-Rrahim
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra,
Jemi në pragun e një nate të veçantë, një nate që Allahu i Madhëruar e ka dalluar mbi të gjitha netët e vitit. Është Nata e Kadrit, nata që Allahu e përshkruan në Kuran me fjalët:
“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E çfarë të bëri ty ta dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!” (El-Kadr: 1-3)
Nata e Kadrit është nata e mëshirës dhe faljes hyjnore. Është nata kur filloi zbritja e Kuranit Famëlartë, si udhëzim për njerëzimin. Një natë që vlen më shumë se një mijë muaj, apo më shumë se 83 vite adhurim.
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) na ka mësuar se:
“Kush e fal Natën e Kadrit me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” (Buhariu dhe Muslimi)
Në këtë natë, meleku Xhibril, së bashku me engjëjt e tjerë, zbresin me lejen e Zotit për të përcaktuar çështjet e njerëzve. Zoti na thotë në Kuran:
“Melekët dhe Shpirti (Xhibrili) zbresin në të me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo është paqe deri në agim.” (El-Kadr: 4-5)
Prandaj, kjo është një mundësi e artë për secilin prej nesh që të shtojë adhurimet, të falet me përulësi, të bëjë dua me sinqeritet dhe të kërkojë faljen e mëkateve.
Aishja (radijAllahu anha) e pyeti Profetin (paqja qoftë mbi të):
“O i Dërguari i Allahut! Nëse e di se cila është Nata e Kadrit, çfarë duaje duhet të bëj?”
Ai iu përgjigj:
“Thuaj: Allahumme inneke Afuvvun, tuhibbul-afve, fa’fu anni” (O Allah, Ti je Falës dhe e do faljen, më fal mua). (Tirmidhiu)
Në këtë natë, le të përkushtohemi në lutje për familjet tona, për vëllezërit dhe motrat tona në besim, për paqen dhe begatinë në vendin tonë dhe për mbarësinë e gjithë njerëzimit.
Zoti i Madhëruar na e pranoftë adhurimin dhe lutjet tona dhe na dhëntë mundësinë të shfrytëzojmë begatitë e kësaj nate të bekuar.