Ballsh: 77-vjeçari gjendet i vdekur në banesë, dyshohet se ka ndërruar jetë disa ditë më parë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të mërkurën në qytetin e Ballshit, ku një 77-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në lagjen “28 Nëntori”. Viktima, i identifikuar si Petrit Saliaj, u gjet nga vajza e tij, e cila kishte shkuar për ta vizituar.
Sipas burimeve nga policia, dyshohet se i moshuari kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë. Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, duke përjashtuar mundësinë e një ngjarjeje kriminale. Familjarët kanë deklaruar se ai vuante prej vitesh nga probleme kardiake, ndaj mendohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një infarkt.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.