Eriselda Zotaj: Institucionet Dështojnë, Fermeri Falimenton, Qytetari Helmim në Treg!

Eriselda Zotaj, kandidate për deputete në Qarkun Fier, reagon me tone të forta ndaj krizës së luleshtrydheve
Pas skandalit të tre ngarkesave me luleshtrydhe të importuara nga Greqia, të cilat rezultuan të kontaminuara me pesticide të rrezikshme, tregu shqiptar është tronditur nga pasojat që prekin drejtpërdrejt si shëndetin e konsumatorëve, ashtu edhe mbijetesën e fermerëve vendas.
Në Frakull të Fierit, çmimi i luleshtrydhes ka rënë në mënyrë drastike nga 150 lekë për kilogram në vetëm 40 lekë. Fermerët kanë protestuar mesditën e sotme, duke hedhur prodhimin përtokë dhe në lumin Vjosë, si shenjë revolte ndaj indiferencës së institucioneve.
Në një deklaratë publike, Eriselda Zotaj, kandidate për deputete në Qarkun Fier, ka reaguar ashpër ndaj situatës:
“Institucionet DËSHTOJNË të mbrojnë shëndetin e konsumatorit dhe fermerin shqiptar! Në Frakull, mundi dhe djersa e një viti të tërë po shkojnë dëm. Kjo është pasojë direkte e papërgjegjshmërisë së drejtuesve që heshtin, që lejojnë hyrjen e helmimit në treg dhe që braktisin prodhuesin vendas.”
Ajo bën thirrje për një reagim qytetar në zgjedhjet e ardhshme:
“Fermeri paguan me falimentim, qytetari me shëndetin! Më 11 Maj i ndëshkoni me votë! Vota juaj është arma më e fortë kundër padrejtësisë dhe abuzimit!”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur besimi i qytetarëve te institucionet kontrolluese të ushqimeve është në rënie të ndjeshme, ndërsa kriza në bujqësi po thellohet nga mungesa e ndërhyrjeve konkrete.
