Skema e investimeve 2024, AZHBR: 280 aplikime janë kualifikuar, më i larti për mekanizim fermash

Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024 ka regjistruar gjithsej 404 aplikime, prej të cilave 360 aplikime përmbushën kriteret e përzgjedhjes dhe 280 aplikime janë të kualifikuara.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) tha për Monitor se deri tani janë lidhur 177 kontrata me përfituesit. Numri më i lartë i të kualifikuarve sipas AZHBR është për investime në mekanizimin e fermave; ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve; Ndërtimin e serrave diellore.
Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 përfundoi më 8 nëntor 2024. Sa i takon procesit të kontrollit administrativ, afati për dorëzimin e dokumentacionit u shty deri më 28 shkurt 2025.
AZHBR pohon se nga totali i aplikimeve të bëra, më i larti ishte për mekanizimin e fermave. Ndërsa qarku me interesin më të lartë për këtë skeme ishte Fieri.
“Interesi më i lartë për aplikime është shënuar për: Investime në mekanizimin e fermave, me 305 aplikime; Ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me 49 aplikime.
Ndërkohë, aplikimet për serrat diellore dhe akuakulturën kanë qenë më të kufizuara.
Rajonet me kërkesën më të lartë për këtë skemë janë Fieri, Vlora, Berati dhe Korça, që reflektojnë interesin e fermerëve në zona me tradita bujqësore dhe blegtorale”, pohoi AZHBR.
Fondi për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024, i vënë në dispozicion nga buxheti i Qeverisë Shqiptare, është 1,5 mld lekë, me shtrirje 2 vjeçare.
500 mln lekë janë parashikuar të disbursohen për vitin e parë. Ky fond do të disbursohet në formën e granteve deri në 50% të vlerës së faturave tatimore të investimit.
Skema mbështet investimet e fermerëve nëpërmjet 5 masave.
Për ndërtimin e serrave diellore mbështetja financiare është 4-15 mln lekë/ha në varësi të kulturës së prodhimit: luleshtrydhe, rrush, perime.
Nga 0.2 ha deri në 2 ha/subjekt, përfshirë instalimi i sistemit të ujitjes.
Mbështetja financiare është deri në 15 mln lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve. Deri në 8 mln lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë. Deri në 4 mln lekë/ha për serrat e prodhimit të luleshtrydheve.
Për rrjetat antibreshër 4-15 mln lekë/ha në varësi të kulturës së prodhimit: luleshtrydhe, rrush, perime. Deri në 1,5 mln lekë/ha për mbrojtjen e pemëve frutore, agrumeve dhe vreshtave.
Për sallat dhe stabilimentet me kapacitet jo më pak se: 10 lopë, 100 të imta, 10 dosa ose 10 mijë shpendë, deri në 15 mln lekë.
Për blerjen e traktorëve dhe pajisjeve për mekanizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, deri në 5 mln lekë.
Mbështetje për akuakulturën detare është për blerjen e rrjetave dhe për koshave për rritjen e peshkut 50% e vlerës totale të faturës tatimore, deri në 20 mln lekë/subjekt./ Monitor